Qeverisja e një vendi kërkon institucione, procedura, ligje dhe mbi të gjitha, respekt për qytetarët dhe për vetë shtetin. Por në Shqipërinë e Edi Ramës, duket se gjithçka është zëvendësuar nga një ekran, një tastierë dhe një faqe Facebook-u me mbi një milion ndjekës.
Rasti më i fundit është një urdhri për bizneset që kanë vendosur çadra apo struktura të përkohshme jashtë ambienteve të tyre. Në vend që të ketë një vendim të mirëfilltë qeverie, një udhëzim të botuar në Fletoren Zyrtare, apo një diskutim publik për ndikimin në biznesin e vogël, Edi Rama zgjodhi edhe një herë të ngrejë gishtin në Facebook dhe të shpallë “ligjin” e radhës.
“Kush ka zënë hapësirën publike, të largohet menjëherë” shprehej ai në videon e publikuar në profilin e tij, siç di vetëm ai. Nuk ka rëndësi nëse bizneset kanë paguar taksa për ato hapësira, nëse kanë marrë leje nga bashkia apo nëse ato struktura janë burim i vetëm jetese për shumë familje. Vendimi merret nga një njeri i vetëm, me telefon në dorë dhe me ide që i vijnë çdo minutë.
Por kjo nuk është hera e parë. Gjatë pandemisë, ora policore, kufizimet e lëvizjes, masat ndaj qytetarëve e bizneseve shpalleshin njësoj si njoftimet për oraret koncerteve.
“Nesër nga ora 20:00, jeni të gjithë në shtëpi”. Nuk kishte vendime të miratuara në qeveri, as ndonjë transparencë publike. Mjaftonte që ai të ishte në humor të keq dhe një komb i tërë ndryshonte mënyrën e jetesës brenda natës.
Ironikisht, kjo mënyrë vendimmarrjeje do të ishte e pranueshme në ndonjë sistem komunist, por në një shtet që pretendon të jetë kandidat për anëtarësim në BE, është një farsë e shëmtuar.
Edi Rama e sheh veten si një lloj mbreti dixhital, ku çdo postim i tij është dekret dhe çdo status është ligj. Qeveria është kthyer në një “tufë” që i bën “like” urdhrave të tij dhe që hesht kur shteti shkon gjithnjë e më shumë drejt autokracisë.
Bizneset, qytetarët dhe shoqëria shqiptare nuk mund të trajtohen si komentues në Facebook-un e kryeministrit. Ata kanë nevojë për shtet serioz, për institucione që funksionojnë dhe për rregulla të barabarta për të gjithë. Sepse Shqipëria nuk është “faqja e tij personale”.