Bankers s’pagoi tatimet për 20 vite, Berisha: Prokuroria mashtron, kompania ka paguar qindra milionë euro gjatë qeverisjes sonë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit në SPAK mëngjesin e kësaj të hëne, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.

Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Berisha u pyet për kompaninë ‘Bankers Petrolium’, e cila akuzohet se për 20 vite nuk ka paguat taksat.

Kreu i PD tha se kontrata e kompanisë është firmosur para se ai të vinte në pushtet, ndërsa shtoi se gjatë qeverisë së tij, ka paguar çdo qindarkë.

Sipas Berishës, për periudhën 2006-2013, prokuroria ka mashtruar në mënyrën më të turpshme sepse kompania ka paguar qindra milionë euro.

“Gjatë periudhës tonë ajo ka paguar qindarkë për qindarkë. Ka pasur njëherë problem me taksën e karbonit, e kemi detyruar dhe e ka paguar. Dhe një gjë, është e turpshme që për interesa mafioze të bëhen skupe mediatike. Ju jeni gazetarë investigative, ju i keni tatimet e hapura, shkoni dhe merrni librat e tatimeve dhe shihni sa kanë paguar në mënyrë që të mos përdoret media si shpatë gjobëvënëse.

Prokuroria ka bërë një deklaratë, unë u them shqiptarëve se për periudhën 2006-2013, prokuroria ka mashtruar në mënyrën më të turpshme sepse kompania ka paguar qindra milionë euro në periudhën që unë flas. Dhe ka paguar në atë periudhë 60-70 përqind të të gjithë rentës së industrive nxjerrëse në Shqipëri. Por kur ka prokurorë gjobëvënës si ai, që mashtron publikisht, është tjetër punë.
Për periudhën tjetër, nuk di. Pas vitit 2013, nuk kam asnjë të dhënë por nuk besoj që mund të arrinte gjer në atë shkallë sa disa ministra rresht të mos lejonin të paguanin asnjë qindarkë. Më duken përralla këto”- u shpreh Berisha.