Një shpërthim i madh u regjistrua sot në një pikë karburani në Prenestino të Romës, mëngjesin e kësaj të premteje duke lënë dhjetëra të plagosur.
Një kolonë e trashë tymi u ngrit, e dukshme nga pjesa më e madhe e qytetit, dhe një zhurmë e fortë u dëgjua në shumë lagje të kryeqytetit.
Mediat italianë bëjnë me dije se zjarri shkaktoi 45 të plagosur: 24 civilë, njëmbëdhjetë oficerë policie, një karabinier, gjashtë zjarrfikës dhe tre operatorë.
Ndërkohë pesëdhjetë persona u evakuuan. Tgcom raporton se një kamp veror u evakuua në të njëjtën rrugë ku ndodhi shpërthimi.
“Sapo pamë tymin rreth orës 7:30 evakuuam fëmijët, ishin 8 prej tyre. Nëse do të kishte ndodhur një orë më vonë, do të kishte qenë një masakër: do të kishte pasur 60 fëmijë nga kampi veror. Qendra sportive është e dëmtuar, duket si një fushë beteje”- tha presidenti i klubit sportiv Villa De Sanctis, Fabio Balzani
Një prej punonjoësve të kampit ka folur për mediat, duke dhënë edhe detaje se si ndodhi shpërthimi i frikshëm.
“Ndërsa po shkoja drejt qendrës sportive, për t’u siguruar që nuk kishte mbetur askush, një ambulancë shpërtheu dhe pashë një copë llamarine që fluturonte në drejtimin tim. Copa metali po vinin, duke djegur gjëra”- tha 28 vjeçari.
“Ndërsa po vrapoja, rashë. Me bisht të syrit pashë llamarinën që shkonte drejt makinës së policisë dhe disa njerëz që binin”.