Dogjën të gjallë 61 vjeçarin për borxhin 10 mijë euro, Apeli rrëzon vendimin për Marjeta Karajn dhe dy persona të tjerë

Gjykata e Apelit të Përgjithshëm ka prishur vendimin sa i takon dënimeve për Marjeta Karajn, djalin e saj dhe Gazmir Ngotës, të cilët akuzohen për vrasjen makabre të Menduh Kurtdedës, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2017.

Për këtë krim, Marjeta Karaj është dënuar me 22 vite burg, djali i saj, i cili ështe në kërkim me 25 vite dhe Gazmir Ngota me 22 vite heqje lirie.

Vendimi u prish sepse Gjykata e Shkallës së Parë kishte rënduar akuzën ndaj të dyshuarve. Ndërsa çështja do të rigjykohet në shkallë të parë me një trupë tjetër gjykuese.

Si ndodhi ngjarja e rëndë 9 vite më parë?

Marjeta Karaj, Besmir Karaj dhe Gazmir Ngota janë autorët e krimit horror në Tiranë. Më 16 maj 2017, ata arritën të kontaktonin në zonën e Xhamllikut Menduh Kurt-Dedën, i cili fshihej prej kohësh për shkak të borxhit të pashlyer. Ata e morën me forcë në automjet, shkuan në zonën e Alliasit dhe ushtruan dhunë ndaj tij. Më pas, vetëm i biri i Marjetës me shokun e tij e çuan në Kodër-Shupal. Atje e rrahën sërish, e lidhën me litar, i hodhën benzinë dhe i vunë flakën.