Shteti shqiptar bëhet aksioner në resortin luksoz të Sazanit, kush është kompania që do ta përfaqësojë në projektin e Jared Kushner

Shqipëria do të jetë aksionere në resortin turistik që do të ndërtohet në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump.

Burime për mediat bëjnë me dije se kompania që do të përfaqësojë shtetin në këtë projekt është ‘Albanian State Development & Real Estate’.

Kjo kompani është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me datë 26 Qershor, pak pas vizitës së Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Vlorë.

Ata qëndruan dy ditë në qytetin bregdetar, ndërsa vizituan edhe ishullin e Sazanit, ku do të investojnë 1.4 mld dollarë për një resort luksoz me 5 yje.

Në ekstraktin e regjistrimit të kompanisë thuhet se: “Kjo shoqëri duhet të sigurojë menaxhimin, zhvillimin dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurive të paluajtshme në pronësi, përdorim apo përgjegjësi administrimi të kompanisë, duke maksimizuar vlerën e tyre dhe duke garantuar përdorim optimal; Pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit – në partneritete apo investime strategjike si dhe në çdo rast të përcaktuar me vendim të organeve të shoqërisë, lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar të AIC”.

Po kështu ‘Albanian State Develompent & Real Estate’do të ketë të drejtën të planifikojë, projektojë dhe zbatojë projekte të rëndësishme ndërtimore duke u fokusuar në zhvillimin urban. Funksion thelbësor i saj do të jetë edhe monitorimi i kontratave që lidhen për projektin e Sazanit.“Monitorimi i kontratave te lidhura mes AIC dhe palëve të treta në fushën e zhvillimit, menaxhimit dhe administrimit të pasurive të paluajtshme, lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar të AIC. Investimi, menaxhimi apo përfitimi i të drejtave nga zhvillimi i pasurive të paluajtshme në pronësi, përdorim apo përgjegjësi administrimi të shoqërisë, si dhe ushtrimi i të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me ose plotësojnë, direkt apo indirekt, aktivitetin e mësipërm lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar të AIC. Bashkëpunimi me shoqëri, ndërmarrje, agjenci dhe sipërmarrje të tjera, të cilat mund të kenë një objekt aktiviteti të ngjashëm”, thuhet në dokumente.