Fluturimi i “kripur”, Rama udhëtoi me charterin 35 mijë euro në Hagë

Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar me një charter privat në Hagë, atje ku ai mori pjesë në samitin e NATO-s.

Në pamjet e publikuara në media, shihet momenti kur kreu i qeverisë shqiptare zbret nga një avion privat i tipit Gulfstream Aerospace G-IVSP, me regjistrimin “TC-EMR” në aeroportin e Schiphol-it të Hagës.

Ndërkohë vlen të përmendet kostoja e këtij udhëtimi të Ramës, që është 34,965 euro për një drejtim të vetëm me avion privat.

Nga kërkimet një fluturim me këtë tip avioni, një ndër më luksozët në qarkullim, kushton minimalisht 35 mijë euro, edhe kur rezervohet një muaj më parë. 

Dhe për ta bërë këtë udhëtim sa më komod, brenda avionit lejohen cigaret, kafshët shtëpiake, ka kuzhinë të plotë, tualet privat dhe një asistent personal gjatë gjithë fluturimit. Ushqimi ofrohet në nivel gourmet, përfshirë sushi dhe specialitete të tjera.

Pikëpyetje ngrihet se kush e ka paguar këtë charter për udhëtimin e Ramës drejt Hagës.

Kujtojmë se më herët opozita e ka denoncuar Ramën se ka shpërdoruar paratë e shqiptarëve me udhëtime me charter, madje duke kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor. Megjithatë kreu i qeverisë i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.

Megjithatë qytetarët presin që kreu i qeverisë duhet të bëjë transparencë në lidhje me financimet për këtë fluturim me charter.