Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka bërë të ditur se SPAK po heton 43 raste për krime zgjedhore në lidhje me 11 Majin.
Gjatë një aktiviteti, me temë “Drejt një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”, Dumani evidentoi problemin se kallëzimet e partive politike lidhur me krimet zgjedhore ishin të paplota dhe të pasakta.
Më tej, Dumani tha se janë ushtruar kontrolle në banesa dhe zyra si dhe janë sekuestruar dokumente të rëndësishme të rëndësishme që do i shërbejnë procesit të hetimit.
“Hetimet për shumë nga procedimet penale janë aktive dhe janë nënshtruar disa kontrolle banese, zyre personale, janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejim kontrolli, janë sekuestruar prova e dokumente të rëndësishme që do i shërbejnë procesit të hetimit.
Sfidat nuk janë të pakta. Duke ju referuar materialeve të partive që kanë mbërritur në SPAK, kemi vënë re që kallëzimet e tyre kanë qenë të paplota dhe jo të sakta.
SPAK është vënë në kontakt me denoncuesit e partive politike dhe është konkluduar se në çdo rast të ngritur nga subjekte politike, SPAK ka bërë verifikimet përkatëse. Për çdo kallëzim, kemi kryer të gjitha verifikimet e nevojshme”, tha ndër të tjera Altin Dumani.