Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka shtyrë për herë të katërt afatin e hetimeve ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili po hetohet në mungesë për tre vepra penale, në kuadër të dosjes së inceneratorëve.
Shkak, sipas SPAK, është mosmbërritja ende e të gjitha përgjigjeve të letërporosive që ka dërguar organi hetues drejt Zvicrës.
Ish-numri dy i qeverisë Rama ndodhet në arrati që prej muajit korrik të vitit 2023.
Arbër Ahmetaj akuzohet për kryerjen e tre veprave penale për “Pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”.
Në muajin korrik të vitit 2023, organi i akuzës e shpalli në kërkim ndërkombëtar. Në mars të 2024 i komunikoi akuzat përmes avokatit të tij ligjor.
Sipas SPAK, Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, mori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare.