Shpërthimi me tritol në Vlorë, pronari i biznesit mohon të ketë konflikte! Kamerat e sigurisë filmuan autorin

Një shpërthim me tritol u regjistrua mbrëmjen e djeshme në një servisi motorësh, në pronësi të shtetasit Viktor Bezhani. Ky i fundit ka thënë për mediat se nuk ka konflikt me askënd.

Kam 30 vite që u shërbej banorëve të Vlorës, që nga biçikletat deri te motorët dhe nuk kam pas asnjë konflikt. Nuk e di pse ma kane bërë këtë dëm”, thotë ai.

Në momentin që ndodhi shpërthimi, biznesi ka qenë i mbyllur dhe mësohet se është vendosur midis dyqanit të motorave dhe një banese. Nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale.

Kamerat e sigurisë në zonë mund ta ndihmojnë grupin hetimor në identifikimin e autorit dhe zbardhjen e ngjarjes.

Mësohet se ato kanë filmuar një person të maskuar, i cili vendos lëndën plasëse në dritaren e objektit të biznesit dhe më pas largohet.

‘Vlorë/Informacion paraprak. Rreth orës 23:00, në lagjen “Bashkimi”, në dritaren e një servisi motorësh, në pronësi të shtetasit V. B., ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale’, njoftoi policia për ngjarjen.