U ekstraduan nga Dubai, Gjykata e Posaçme lë në burg shokët e Talo Çelës

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion la në fuqi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ që kishte vendosur në mungesë ndaj Ado Xhika, Ervis Dakës dhe Maksim Koçit, të cilët u ekstraduan pak ditë më parë nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt vendit tonë. 

Të tre janë pjesë e grupit të Talo Celës, të shumëkërkuarit nga drejtësia shqiptare.

Por cilat janë akuzat që rëndojë ndaj tyre?

-Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku- 40 vjeç, akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.

-Ervis Daka, 38 vjeç, akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-Maksim Koçi, 39 vjeç, akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.