Zhduket prej disa ditësh 16 vjeçarja shqiptare në Greqi, e ëma: Më çoi sms që nuk do të kthehej më në shtëpi, pas atij mesazhi fshihet dikush tjetër

Një 16 vjeçare shqiptare në Greqi është zhdukur prej disa ditësh në zonën e Petralonës ku ajo jetonte ndërsa familjarët  e saj kanë ngritur alarmin.

E ëma e Emilias, ka folur për mediat greke duke treguar edhe bisedën e fundit që kishte pasur me vajzën e saj. Kjo e fundit i kishte thënë se do të dilte me shoqet, por që prej mbrëmjes së të hënës nuk është rilidhur më.

E shqetësuar, gruaja ka treguar se nga telefoni i 16 vjeçares ka ardhur një mesazh ku ajo i shkruante se nuk do të kthehej më në shtëpi. Ajo shtoi se ka frikë se pas mesazhit fshihet ndonjë person tjetër që do të dëmtojë të miturën.

“Nuk kam dëgjuar më nga vajza ime që nga nata e së hënës kur ajo u zhduk. Më tha se do të dilte me shoqet e saj për një shëtitje dhe që atëherë nuk është kthyer në shtëpi. Kur pashë se po vonohej të kthehej nga shëtitja, u shqetësova dhe komunikimet tona të fundit ishin nëpërmjet mesazheve në celularin e saj. Mesazhi i fundit ishte se “Nuk do të kthehem më në shtëpi”. Jam shumë e shqetësuar për fatin e fëmijës tim për momentin, telefoni i saj celular është i çaktivizuar, kam frikë se duhet të jetë përfshirë me shoqe të këqija, sepse nuk ka dalë kurrë me shoqet. Dhe mesazhi që dërgoi se “Nuk do të kthehem më në shtëpi”, besoj se fshihet një person tjetër që dëshiron ta dëmtojë. Dua të zbuloj informacione për vajzën time, po e kërkoj kudo dhe dua që ajo të kthehet përsëri në shtëpinë tonë…” tha nëna e vajzës.