Ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Paplekaj, i dënuar me 7 vite burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Prill të vitit 2021 ka kërkuar lirinë me kusht.
Në kërkesën e tij, ish-efektivi ka argumentuar se ka kryer pjesën më të madhe të dënimit. Ndërkohë u vendos që seanca e radhës në Gjykatën e Durrësit, ku do shqyrtohet kërkesa e tij, do të mbahet në datë 16 korrik.
Një vit më parë, Gjykata e Apelit dënoi me 7 vite burg Paplekajn. Apeli prishi vendimin e dhënë nga gjykata e Elbasanit që e dënoi atë me 22 vite burg për vrasje me dashje, duke ulur vitet e vuajtjes së dënimit për Paplekajn. Ai u dënua me 7 vite, për vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes.
Rikujtojmë se ngjarja ndodhi 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të Prillit të 2021-it. Paplekaj, ishte pjesë e strukturës të Partisë Demokratikë që ishte ngritur me qëllim mbrojtjen e votës. Pjerin Xhuvani ndërkohë njihej në qytet si një përkrahës i Partisë Socialiste.