Problemet për familjen Kaçi, e dhunuar pak ditë më parë nga ish-gradisti Martin Nikolli, nuk kanë mbaruar ende.
Pasi ish-gardisti i dhunoi me shkop bejsbolli dhe qëlloi me armën e shërbimit për t’i trembur, tashmë është vëllai i tij i cili i kërcënon sërish. Shkak është bërë rruga që ndan dy familjet, ndërkohë që familja Kaçi kërkon ndërhyrjen e Policisë.
“Dje më erdhi vëllai i tyre dhe më kërcënoi. Dhe pretendojnë se ne i kemi ngacmuar fëmijët, ndërkohë që ata janë 3-4 vjeç. Ne kërkojmë që policia të vijë të ndërhyjë. Ata kanë rrugën e tyre që të kalojnë dy trajlera. Duhet ta zgjidhë prokuroria dhe policia, mos të na lënë që të veprojmë ne”, tha Kastriot Kaçi.
Prej disa ditësh Martin Nikolli dhe njëri prej vëllezërve të tij qëndrojnë në burg, pasi dhunuan me sende të forta anëtarët e familjes Kaçi. Ish-efektivi u përjashtua nga Garda e Republikës, ku shërbente prej vitit 2006.