Gjykata e Kukësit ka lënë në burg 41 vjeçarin Ylber Jaku, i akuzuar për vrasjen e 34-vjeçarit Reshit Sallahu tre ditë më parë në Has, pasi motra e këtij të fundit i kishte dhunuar më herët prindërit.
Avokatja e Jakut, Aurora Guska tha për mediat se 41 vjeçari nuk ka pranuar avokat dhe kërkon një përfaqësues nga ambasada angleze, pasi është shtetas anglez.
Ajo ka thënë se Ylber Jaku nuk ka besim te drejtësia shqiptare për shkak se prindërit e tij prej 20 vitesh nuk kanë mundur dot që të zgjidhin një konflikt kaq të thjeshtë.
Gjithashtu avokatja ka thënë se babai i autorit, edhe pse i plagosur ka telefonuar dhjetëra herë Policinë duke kërkuar të parandalonin krimin, pasi djali i tij kishte dalë nga kontrolli kur kishte parë gjendjen e tyre në spital pas plagosjes, nga motra e viktimës.
Deklarata e Avokates, Aurora Guska:
“Ylber Jaku nuk pranon avokat, por sipas ligjeve masat e sigurisë janë detyrimisht që të përfaqësohen me avokat dhe jam kryesisht. Prindërit e Ylber Jakut, Agim dhe Vera Jaku, kanë një konflikt pronësie, një rrugë kalimi për të shkuar te banesa e tij dhe familja e viktimës nuk e ka lejuar dhe janë në procese gjyqësore për mbi 20 vite. Por çfarë ka ndodhur që çështja shkoi deri këtu? Para dy javësh, babai i të arrestuarit, ka marrë në telefon Policinë, ka njoftuar dhe ka shprehur se personi që kishte konflikt, që është babai i viktimës, kishte marrë një fadromë dhe po prishte të vetmen rrugë që atë e çonte drejt shtëpisë. Duke qenë para këtij fakti, babai i viktimës shkon në Polici dhe u thotë o ma hiqni Agimin, ose unë do hakmerrem.
Vajza, motra e viktimës, ka marrë një sëpatë duke dëmtuar prindërit e të arrestuarit. Për të mos pasur pasoja, babai i të dyshuarit ka marrë të birin dhe i ka thënë kemi bërë aksident dhe ndodhemi në spital. Ylberi punon në Has, nuk ka qenë në Angli, nuk është e vërtetë që ka ardhur prej andej, ka qenë në punë, merret në ndërtim. Ka shkuar në Spitalin e Traumës për t’i vizituar dhe është tonditur shumë kur i ka parë prindërit në atë gjendje, sidomos nënën që ka marrë plagë më të rënda dhe është në gjendje më kritike. Ka ikur, ka fikur telefonin dhe duke qenë në këto kushte Agim Jaku, babai i autorit, këto janë të zbardhura, ka telefonuar dhe bërë mesazhe Policisë për disa orë me radhë. U ka thënë se djali im ka dalë jashtë kontrollit, evitoni çdo ngjarje të mundshme. Por çfarë ka ndodhur, nuk është marrë asnjë masë, ngjarja ka ndodhur vetëm 3 metra para oborrit të shtëpisë së viktimës. Ylber Jaku nuk ka bërë asnjë rezistencë dhe është dorëzuar në polici.
Vetë Ylber Jaku, duke qenë me shtetësi angleze, ka bashkëshorte angleze dhe dy fëmijë, kërkonte të ketë një përfaqësues nga Ambasada e Anglisë që të vinte në seanca, pasi ai vetë nuk ka besim te drejtësia shqiptare, për shkak se prindërit e tij janë rropatur 20 vite rrjesht dhe nuk kanë mundur dot që të zgjidhin një konflikt kaq të thjeshtë. Gjykata vendosi arrest me burg për veprën penale të vrasjes. Vetë Jaku u pyet nga Gjykata dhe tha se s’ka asnjë pretendim, nuk flet, duke thënë vetëm se s’ka besim te drejtësia shqiptare dhe kërkon përfaqësues nga Anglia.
Jaku nuk ka dhënë asnjë dëshmi as para oficerit gjyqësor gjatë hetimeve dhe as para Gjykatës. E vetmja fjali që thotë është se “nuk kam besim te kjo drejtësi, dua që si shtetas anglez të jetë një punonjës i shtetit anglez dhe t’ia shpjegoj rastin se çfarë ka ndodhur me prindërit e mi dhe neglizhenca e të gjitha institucioneve, Policisë, pushtetit lokal, ka bërë atë që unë sot përfundova këtu”.