Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, gjatë një takimi fushate në Shkodër, ngriti akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama për mbrojtje të hapur të korrupsionit në pushtetin vendor.
Shehaj iu referua përgjimeve dhe hetimeve të SPAK ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci duke e quajtur një simbol të degradimit moral dhe institucional që, sipas tij, është bërë normë nga qeverisja aktuale.
Shehaj i bëri thirrje qytetarëve të mos heshtin përballë kësaj situate, duke theksuar se indiferenca dhe normalizimi i korrupsionit janë armët më të rrezikshme kundër shoqërisë.
“Shikoni këtu në Bashkinë e Shkodrës. Kjo bashki ka një kryetar bashkie që ka dalë në përgjime që ka marrë para. Është në hetim nga SPAK për korrupsion. Dhe kjo nuk u bën fare përshtypje, nuk i bën përshtypje Edi Ramës. Është kryetari i Bashkisë. E dini apo e di vetëm unë këtë gjë?
320 mijë euro nëse s’gaboj. Si tha kryetari i bashkisë: 500 mijë për profesorin e Harvardit, 320 mijë për ne pa shkollë, apo jo.
E di e gjithë Shqipëria që në krye të Bashkisë së Shkodrës është një hajdut, dikush që ka vjedhur shqiptarët. E di e gjithë Shqipëria! E di dhe Shkodra besoj, por këtyre nuk u bën përshtypje. Të gjithë e dinë, por askujt nuk i bën përshtypje, atyre që janë në pushtet, se mendojnë që nuk reagon më njeri. Mund ta lëmë një hajdut, një të korruptuar në krye të bashkisë, flas për një bashki të rëndësishme, dhe askujt nuk i bën përshtypje.
Ishte Rama sot se e pashë nëpër lajme, se Rama del në lajme gjithandej. Ore pyeti ndonjë, kishte ndonjë gjë për t’iu thënë shkodranëve që iu ka vendosur në krye të bashkisë një të korruptuar. Ore iu vjen turp këtyre apo jo? Si mund të lësh në krye të një bashkie kaq të rëndësishme një të korruptuar? Ne të pashkollët tha, 320 mijë euro. Dhe nuk ndodh asgjë. Është në hetim nga SPAK. Dhe Edi Rama thotë: Ne mbështesim drejtësinë”. Po si e mbështet drejtësinë ti? Duke e mbushur Parlamentin me të hetuar dhe në hetim për korrupsion?” – deklaroi Agron Shehaj nga Shkodra.