PS ankesë në KQZ: Emigrantëve u shkuan zarfe pa fletë votimi, u janë kërkuar edhe lekë

Teksa po vijon shpërndarja e zarfeve me fletën e votimit për të gjithë emigrantët që janë regjistruar për të votuar në 11 Maj, PS i është drejtuar me një shkresë KQZ lidhur me disa problematika në lidhje me këtë proces.

Shqetësimet kanë të bëjnë me kompaninë private “DHL”, e cila është zgjedhur për të dërguar zarfet dhe më pas kthimin e tyre në Shqipëri. PS thotë se emigrantëve u kanë shkuar zarfe pa fletë votimi, si dhe u kanë kërkuar lekë për kthimin e zarfeve.

Këto problematika janë evidentuar nga emigrantët, teksa PS i kërkon kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi marrjen e masave të menjëhershme.

Kujtojmë se Celibashi tha se janë mbi 154 mijë qytetarë që kanë marrë fletën e votimit, por shtoi se problematikat që janë hasur gjatë këtij procesi kanë qenë të vogla.

“Mosrespektimi i protokolleve të njoftimit nga DHL përmes emailit dhe SMS-ve, sidomos në Greqi dhe Itali. Vështirësi në komunikim me DHL, ku kontaktet nuk përgjigjen ose shfaqen si “call failed”. Refuzim i marrjes së zarfeve të kthimit nga DHL, sidomos në Greqi, dhe raste kur qytetarëve u kërkohet ta dorëzojnë fizikisht në pikën postare. Kërkesa për pagesë për kthimin e zarfeve nga ana e DHL. Fletë votimi mungojnë në zarf, me raste konkrete në SHBA, Itali, Angli dhe Greqi.

Shpërndarje e pabarabartë e zarfeve brenda të njëjtës familje. Mesazhe për adresë të pasaktë, pavarësisht konfirmimit të saj nga zgjedhësit. Dërgesa pa paralajmërim nga korrierët, që rezulton në kthimin e zarfeve pa dijeni të votuesve. Mosnjohje e bar kodeve nga DHL në disa raste, sidomos në Brescia, Itali”, thuhet në letrën e PS drejtuar KQZ.