Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit lirdhur me shkarkimin nga detyra të prokurorit të Gjirokastrës, Emror Kasaj.
Ky i fundit u shkarkua nga detyra më 9 maj 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konkludoi se ai kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë, ndërsa në vlerësimin tërësor u çmua se kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Emror Kasaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si oficer i Policisë Gjyqësore. Prej vitit 2015 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ai e ushtroi funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
Njoftim vendimi:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 31/2022, datë 13.07.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Emror Kasaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 529, datë 09.05.2022.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
· Lënien në fuqi të vendimit nr. 529, datë 09.05.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Emror Kasaj.
· Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall në Tiranë, më datë 23.04.2025.