Nga Kavaja, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, tregoi se cili është ndryshimi i forcës së tij politike me partitë e tjera, që premtojnë se do pasurojnë shqiptarët.
Shehaj tha se ndryshe nga ata, “Mundësia” nuk premton qiqra në hell, por thotë se shqiptarët do arrijnë të pasurohen vetë duke mos patur shtetin mbi kurrizin e tyre që t’i pengojë t’ia dalin me punë.
“Do vazhdojnë të na sulmojnë se ne jemi rreziku për ta, sepse ne duam një Shqipëri ndryshe. Ne jemi të vetmit që flasim për ekonominë, dhe themi që po nuk u rrit ekonomia, nuk mund të pasurohet Shqipëria. Jemi të vetmit që nuk premtojmë qiqra në hell që do i bëjmë shqiptarët të pasur. Jo mor jo, nuk do i pasurojë qeveria shqiptarët, shqiptarët do pasurohen vetë. Kjo është e vërteta.
Dalin e tregojnë arritjet. Që Shqipëria nuk është ajo e ’91-shit, nuk është meritë e qeverisë, është puna sipërmarrësve të ndershëm. Nëse shqiptarët nuk kanë bërë më shumë, është faji i qeverive dhe pushtetit që i ka penguar të bënin më shumë, dhe janë detyruar të ikin nga Shqipëria. Ne jemi të vetmit që flasim për një Shqipëri ku mund t’ia dalësh me punë të ndershme, sepse vijmë nga puna dhe e dimë çfarë do të thotë”, tha Shehaj.
Sipas Shehajt, ai po sulmohet për shkak se kërkon ndryshimin dhe jo rotacionin, pasi në 30 vite sistemi nuk ka ndryshuar, dhe partitë politike duan pushtetin vetëm për t’u pasuruar për vete.
Ai u shpreh se “Mundësia” është një projekt afatgjatë, me një vizion të qartë, për të bërë një Shqipëri ku gjithsecili mund t’ia dalë me punë të ndershme.
Kreu u “Mundësisë tha se të gjitha sondazhet e nxjerrin qartë forcën e tij politike pati të tretë, teksa në Tiranë synohen të merren edhe më shumë mandate, dhe nga ky qark do të fillojë ndryshimi.
“Siç e dini, kemi filluar t’i bezdisim, nga fushata jonë, nga mesazhi jonë. Kam thënë dhe kemi thënë të gjithë bashkë një gjë shumë të thjeshtë. Nuk duam rotacionin politik, duam ndryshimin. Ne jemi partia që përfaqëson të gjithë ata që nuk kënaqen vetëm me rotacionin politik. Ne duam ndryshimin, prandaj jemi këtu. Kjo është bindja jonë.
Siç thotë çdo sondazh, ne jemi qartësisht parti e parë mes partive të reja, me një diferencë të madhe nga partitë e tjera. Tirana është shumë e rëndësishme, pasi në qarkun e Tiranës do marrim numrin më të madh të deputetëve, dhe nga këtu do fillojë ndryshimi”, deklaroi Shehaj nga takimi në Kavajë.