Mbërrijnë në Shëngjin 40 emigrantët nga Italia, do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit në pritje të dëbimit

Dhjetëra emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu është refuzuar azili në Itali mbërritën pasditen e kësaj të premteje në portin e Shëngjinit. Më pas ata do të zhvendosen në kampin e Gjadrit, të cilit qeveria italiane ia ndërroi funksionin përmes një dekreti më 28 Mars.

Grupi me 40 emigrantë erdhën në tokën shqiptare përmes anijes “Libra”, e cila do të qëndrojë përfundimisht në vendin tonë, pasi ajo iu dhurua flotës ushtarake të Shqipërisë nga marina italiane.

Me vendimin e ri te qeverisë italiane, emigrantët e ndaluar në Gjadër mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin e tyre.

Emigrantët e paligjshëm, të ndaluar në qendrën e ndalimit të emigrantëve në Romë, do të transferohen në Shqipëri në pritje të dëbimit, por më pas duhet të kthehen në Itali për kthimin e tyre përfundimtar në vendet e origjinës.