Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim të thelluar ndaj bankave të nivelit të dytë. Hetimet nisën pas dyshimeve se bankat kanë shkelur nenin 4 dhe nenin 9 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Sipas njoftimit zyrtar, është hapur procedura e hetimit të thelluar në tregun e ndërmjetësimit për sigurimin e jetës për kreditë, të cilat kërkojnë sigurim jete për ndërmarrjet.
Hetimi i thelluar përfshin periudhën kohore nga 07.11.2021 deri në 26.03.2025. Konkretisht hetimet janë fokusuar në shitjen e një police sigurimi jete, të cilën bankat ua kërkojnë me detyrim kredimarrësve. Kjo police sigurimi ka për qëllim që të garantojë se një kompani sigurimi do të paguajë kredinë në rast se kredimarrësi vdes pa e shlyer atë. Qytetarët që marrin një kredi nuk janë të lirë të përzgjedhin shoqërinë për sigurimin e jetës për kredi, pasi u përcakohet nga vetë bankat.
Neni 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ndalon dy ose më shumë operatorë në të njëjtin treg që të bien në marrëveshje me njëri-tjetrin për të kufizuar konkurrencën, për shembull, përmes caktimit të çmimeve të njëjta, kufizimit të sasisë apo vendosin kritere të tjera kufizuese për konsumatorin.
Neni 9 i ligjit ndalon kompanitë të cilat vlerësohet se kanë fuqi dominuese në treg nga abuzimi me këtë fuqi dominuese.
Njoftimi:
Autoriteti i Konkurrencës hap procedurën e hetimit të thelluar në tregun e ndërmjetësimit për sigurimin e jetës për kreditë të cilat kërkojnë sigurim jete për ndërmarrjet: OTP Bank Albania SHA, Banka Kombëtare Tregtare SHA, Credins Bank SHA, Banka Raiffeisen SHA, Banka e Tiranës SHA, Intesa SanPaolo Bank Albania SHA, Union Bank SHA, E-Business Solutions SHPK, Banka e Bashkuar e Shqipërisë SHA, Banka Amerikane e Investimeve SHA dhe Abi Broker Sigurimesh SHA dhe në tregun e kredidhënies me sigurim jete për kreditë që jepen brenda bankës Bankës së Parë të Investimeve SHA dhe Bankës Procredit SHA.
Komisioni i Konkurrencës në mbledhjen e tij, datë 26.03.2025, në vlerësim të të dhënave të marra gjatë fazës së hetimit paraprak në tregun e sigurimit të jetës për kredi, konkludoi se sjellja e ndërmarrjeve Banka Raiffeisen SHA, OTP Bank Albania SHA, Banka Kombëtare Tregtare SHA, Tirana Bank SHA, Intesa SanPaolo Bank Albania SHA, Union Bank SHA, E-Business Solutions SHPK, ABI Bank SHA, Abi Broker Sigurimesh SHA dhe Procredit Bank SHA mund të përbëjë shkelje të nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003 ndërkohë që sjellja e ndërmarrjeve Tirana Bank SHA, Credins Bank SHA, Banka e Bashkuar e Shqipërisë SHA dhe Banka e Parë e Investimeve SHA mund të përbëjë shkelje të nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003.
Për këto arsye, me vendimin nr. 1171, datë 26.03.2025, u vendos hapja e procedurës së hetimit të thelluar.
Hetimi i thelluar përfshin periudhën kohore nga 07.11.2021 deri në 26.03.2025.