Vrau efektivin e “Shqiponjave”, dërgohet për gjykim dosja ndaj Azgan Mërnicës

Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Azgan Mërnicën, autorin e vrasjes së efektivit të “Shqiponjave”, Novruz Cenaliaj, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2024. Mërnica, do të përballet në gjyq me akuzat e “Vrasjes së punonjësve të policisë”, “mbajtje e prodhim armësh dhe municionesh” dhe “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.

Kujtojmë se i riu u vetëdorëzua në polici, 48 orë pas krimit të rëndë në Baltëz të Fierit. Në momentin që familjarët e tij e dorëzuan në polici, 23 vjeçari u shfaq i qetë dhe i buzëqeshur, duke mos shfaqur pendesë që i mori jetën një polici në moshë të re, pas një sherri të çastit.

Pas u vetëdorëzua, ai tregoi për grupin hetimor edhe dinamikën e ngjarjes, se efektivi e kishte ndaluar pasi ishte me shpejtësi. Më tej në dëshminë e tij, ai thotë se polici ia bëri me dorë, por kujtoi se e shau dhe për këtë arsye doli jashtë makinës.

Në momentin që efektivi ishte kthyer me shpinë, 23-vjeçari ka treguar se kishte nxjerrë armën nga çanta dhe e qëlloi me një plumb mbrapa në kokë, duke i marrë jetën.