Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi përcillet sot në banesën e fundit përmes një ceremonie ku morën pjesë personalitete të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Në këtë ceremoni, mes të tjerësh foli edhe djali i Hashim Thaçit, Endrit Thaçi, i cili mbajti një fjalim shumë emocionues për ndarjen nga jeta të gjyshit të tij.
Teksa falënderoi të gjithë për mesazhet ngushëlluese, por edhe për mbështetjen në këto ditë, ai u ndal edhe te mungesa e babait të tij në ceremoninë mortore, pasi Gjykata speciale nuk i miratoi lejen. Megjithatë me lot në sy, ai tha se sot edhe pse Hashim Thaçi mungon, në vend të tij ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina.
“Faleminderit nga zemra për ngushëllimet për fjalët prekëse. Në emër të familjes Thaçi, në emër të babit iu falënderoj për mbështetjen. U jemi mirënjohës të gjithëve. Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për ta takuar babin ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjeve. Besimi ishte më i madh se aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit çdo orë priste t’ia hapte derën e spitalit, nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa ditë.
Tri orë atë ditë, iu bënë një jetë. Që të dy e kërkonin lirinë, çlirimin. Vdekjen e shpejtë të gjyshit e pashë në fytyrën e babait kur doli nga spitali. Ai iu mbijetoi të gjitha vuajtjeve, por këto 4 vite nuk i mbijetoi dhimbjes nga padrejtësia. Sëmundje e pashërueshme për njerëz të fortë.
Me vdekë pa u koritë, siç thoshte ai. Gjysh, as sot nuk jemi korit. Babin nuk e lejuan të jap lamtumirën e fundit, nuk e lejuan t’ia gjuajë një gusht të dheut të Drenicës, por në vend të babit sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina”, tha ai.
Në ceremoni mori pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali. Në fjalën e saj Spiropali iu drejtua Haxhim Thaçit,duke thënë se padrejtësisë politike e kombëtare të burgosjes së Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tjerë sot i është shtuar edhe padrejtësia njerëzore dhe morale.