Komisionerja e Zgjerimit flet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE: Ka ende shumë punë për të bërë

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos e cila ndodhet për herë të parë në një vizitë në vendin tonë, iu bashkua festimeve të Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit.

Më pas ajo foli për gazetarët, të cilët e pyetën në lidhje me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kos u shpreh se Shqipëria po bën një punë të mirë, por tha se vendi ynë duhet të bëjë detyrat për t’u anëtarësuar në union.

Më tej, Komisonerja për Zgjerim shtoi se ka vendosur për fat dy verore, një për Shqipërinë dhe një për Bashkimin Europian.

“Shqipëria po bën një punë shumë të mirë, ka ende shumë reforma për t’u bërë por nëse bëhen, në fund të 2027 do të jetë edhe fundi i procesit. BE është shtëpia juaj, tani duhet të bëni detyrat, por së shpejti shpresoj që pas punës së bërë me pasion, BE të mos ketë 27 vende anëtare por 28. Kam dëgjuar se veroret sjellin fat, kam vënë dy sot, një për ju dhe një për BE, që të jenë fatsjellëse”, tha Kos në një prononcim për gazetarët.