Teksa pritet që të zyrtarizohen kandidaturat për deputetë më 11 Maj, në Partinë Socialiste kanë filluar dorëheqjet e para.
Bëhet fjalë për deputetin Nasip Naçon, i cili sipas burimeve të mediave është tërhequr nga gara për 11 Majin, pasi nuk i është caktuar një vend në listën e sigurt të PS. Naço nuk ka pranuar që të jetë në listë të hapur në qarkun e Beratit, duke u tërhequr nga gara.
Po ashtu edhe deputeti Laert Duraj është tërhequr nga gara dhe nuk do jetë në listën e hapur të Gjirokastrës.
Ndërkohë mësohet se ish-deputeti demokrat Alban Zeneli i është bashkuar PS dhe pritet të kandidojë nën siglën e PS në listën e hapur në Kukës.
Lista zyrtare e PS pritet të bëhet publike më vonë, ndërsa aktualisht kryeministri Edi Rama është në një takim me drejtuesit politikë të qarqeve. Kujtojmë se listat me emrat e kandidatëve duhet të dorëzohen në KQZ brenda mesnatës së sotme.