Kryebashkiaku Erion Veliaj kërkon që seanca ndaj tij në GJKKO të jetë e hapur. Burime për mediat bëjnë me dije se Veliaj ka kundërshtuar provat e reja që SPAK ka dorëzuar ditën e djeshme në seancën që zgjati 7 orë.
Ai mësohet të ketë thënë se është izoluar për një muaj që të gjendjen prova të reja ndaj tij. Ndërkohë është shprehur se përse nuk u konsideruan prova të reja sulmet e Berishës ndaj SPAK?
“Më izoluat 1 muaj në burg që të gjenit ‘prova të reja’. Saliu e ofendoi SPAK dhe e akuzoi si organizatë kriminale, çfarë e gjeti? Pse nuk u konsideruan prova të reja sulmet e Berishës ndaj SPAK?”, ka thënë Veliaj.
Vendimi për ankimin e Veliaj ndaj masës “arrest me burg” ishte parashikuar të jepej ditën e djeshme, por u shty për shkak të provave të reja që prokurorët e SPAK paraqitën, duke u lënë kohë avokatëve të Veliajt që t’i shqyrtojnë ato.
Mbrojtja e Veliajt kërkon lirinë e kryebashkiakut në këmbin të garancisë pasurore dhe bllokim të pasaportës, por do të jetë gjyqtari Engert Pëllumi, i cili do të vendos nëse do e pranojë kërkesën apo jo.