Kryeministri i vendit Edi Rama gjatë takimit me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste tha se ai personalisht mund të mos jetë në listën e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 11 majit.
Ai komentoi dhe listën e hapur, ndërsa tha se edhe kjo garë duhet të zhvillohet në kushte të barabarta.
Sipas tij, vendimi i tij për të qenë në lista të hapura do të krijonte kushte jo të drejta për kandidatët e tjerë, duke marrë parasysh postin që mban aktualisht.
“Me thënë të drejtën as se kam pasur dhe as se kam shumë idenë se pse unë duhet te jem në atë parlament si deputet për sa kohë e kam këtë detyrë dhe nga ana tjetër do ishte prapë një hyrje në hak ndaj të tjerëve që të vendosej emri im dhe pastaj të vinin votat dhe të çorientoheshin njerëzit. Kush do jetë në listë të hapur do jetë në një garë shumë të barabartë. Ndërkohë që vendimin për veten time nuk e kam akoma të marrë plotësisht, se mund dhe mos të jem fare në listë duke qenë deputet i të gjithëve për detyrën që kam dhe për të mos i zënë vendin askujt. Kjo është pak a shumë pamja sot.”, tha ai.
Kryeministri u shpreh se një pjesë e mirë e kandidatëve për deputetë janë përzgjedhur nga platforma “Deputeti që duam”, por vendimmarrja finale i takon kryesisë së PS.