Edhe pse SPAK ka kërkuar 5 vite burg për Alqi Bllakon për inceneratorin e Elbasanit, ish-deputeti i PS ka thënë se është i pafajshëm. Ai tha se si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, nuk ka pasur asnjë rol në dhënien e koncesionit.
“Kam respekt dhe vlerësoj punën tuaj, por deklarohem i pafajshëm. Unë si sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit s’kam patur asnjë rol për dhënien e koncesionit”, tha Bllako gjatë seancës në GJKKO.
Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të Bllakos dhe që të dënohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë. Përvec dënimit me 5 vite burg, kërkon që të përjashtohet për 5 vite nga postet publike.
Ndërkohë GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Bllakon, dhe në rast se shpallet fajtor, me gjykim të shkurtuar, do t’i ulet 1/3 e dënimit.
Gjatë hetimeve të SPAK, janë konstatuar veprime të kundraligjshme të kryera nga Bllako, ku dyshohet se në kohën kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit ai ka përfituar para në vlerën e rreth 120 mijë eurove.