GJKKO rrëzon kërkesën e Erion Veliajt për t’i kthyer celularin e sekuestruar ditën e arrestimit

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut, Erion Veliaj për t’i rikthyer telefonin e sekuestruar nga agjentët e BKH ditën që ai u arrestua në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës.

Vendimi u mor nga gjyqtari Erion Bani, i cili nuk pranoi kërkesën e Veliajt, me këtë të fundit që u arrestua më datë 10 shkurt me urdhër të SPAK. Më herët edhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, gjykata i rrëzoi kërkesën për kthimin e telefonit.

Sipas praktikës hetimore, sendet e sekuestruara të personave që janë objekt hetimi kthehen në fund të procesit pasi konsiderohen si prova materiale.

Kryebashkiaku Erion Veliaj akuzohet për veprat penale: korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash. Nga qelia e paraburgimit të Durrësit ai ka qenë tepër aktiv në rrjete sociale, ku pretendon se është dënuar pa gjyq ndërsa ka sulmuar vazhdimisht prokurorin çështjes së tij, Olsi Dado dhe gjyqtarin Erion Bani, i cili firmosi arrestimin.