Të rinjtë shqiptarë në kurthin e rrjeteve sociale

Rrjetet sociale janë kthyer në një varësi për shumë të rinj dhe jo vetëm, në Shqipëri dhe në të gjithë botën. Mjafton të bësh një vëzhgim të thjeshtë dhe njerëzit janë me telefona nëpër duar, duke komunikuar në internet.

Një studim i fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” zbulon se afro 40% e të rinjve shqiptarë nga mosha 14-29 të vjeç qëndrojnë në rrjetet sociale 2-5 orë në ditë.

Pavarësisht të mirave që teknologjia ka në jetën tonë, një rëndësi të madhe duhet t’u kushtojmë pasojave negative dhe kryesisht te të rinjtë, të cilët shpesh herë nuk e dinë rrezikun e rrjeteve sociale.

Shumë të rinj shqiptarë bien pre e lojërave në këto rrjete si TikTok apo shumë vajza janë denigruar në Instagram nga profile false. Ishte rasti i Korçës ku dy vajza denigronin adoleshentet në Instagram me foto intime. Pa dashur, të rinjtë futen në rrethin e këtyre rrjeteve, ku shahen, ofendohen me njëri tjetrin dhe më pas këtë sherr e kthejnë në fizike. Dy rastet më të rënda së fundmi ne vend, janë vrasja e Martin Canit, por edhe e 15 vjeçarit Fatjon Bici në Gramsh, ku zanafillën e kanë pasur në rrjete sociale.

Shpesh duke e parë si një dritare për të shkëputur mendjen e për tu ndjerë më të lumtur, njerëzit qëndrojnë me orë të tëra në rrjete sociale.

Ndërkohë një studim i ri nga Universiteti i Oksfordit ka analizuar lidhjen mes përdorimit të rrjeteve sociale dhe nivelit të lumturisë tek njerëzit. Studiuesit vëzhguan 2,000 persona të moshave 16-45 vjeç dhe zbuluan se shpenzimi i tepërt i kohës në rrjete sociale mund të ulë ndjeshëm mirëqenien emocionale.

Sipas rezultateve:
•Përdoruesit që kalojnë më shumë se 3 orë në ditë në rrjete sociale raportuan një nivel më të ulët lumturie dhe më shumë ndjenja të ankthit dhe vetmisë.
•Ata që përdorin rrjetet sociale për më pak se 1 orë në ditë kishin një gjendje emocionale më të qëndrueshme dhe raportonin më shumë momente lumturie në jetën e tyre reale.
•Përdoruesit që i përdorin rrjetet sociale për qëllime profesionale ose edukative nuk përjetonin ndikime negative, në krahasim me ata që i përdorin kryesisht për argëtim ose krahasime shoqërore.

Ekspertët sugjerojnë që përdorimi i moderuar dhe i ndërgjegjshëm i rrjeteve sociale mund të ndihmojë në rritjen e lumturisë, ndërsa përdorimi i tepërt mund të krijojë një ndjenjë mospërmbushjeje dhe izolimi.

Ata rekomandojnë pauza të rregullta nga rrjetet sociale dhe fokusimin më të madh te marrëdhëniet reale për një mirëqenie më të shëndetshme mendore.

Për të shmangur efektet e dëmshme, sugjerohet që të rinjtë të përfshihen në aktivitete jashtë ekranit.