Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk ka regjistruar partinë e Lulzim Bashës për t’u bërë pjesë e garës në zgjedhjet e 11 Majit. Mësohet se për shkak të problemeve juridike, partia e ish-kreut të PD ku drejtues është Endri Hasa nuk ka marrë sot dritën jeshile nga KQZ. Vendimi i KQZ erdhu pasi kreu i “Koalicionit Euroatlantik”, Endri Hasa nuk është kryetar me vendim të formës së prerë.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka thënë sot se duhej një vendim i formës së prerë nga gjykata, që përfaqësuesit e kësaj force politike nuk e kishin.
Megjithatë ai u la kohë deri ditën e hënë për ta dorëzuar. “Ju pres të hënën, dua vërtetim nga regjistri i partive për ndryshimet e bëra”- ka thënë Celibashi.
Deri tani janë 49 parti të regjistruara në KQZ. Kujtojmë se më 7 Mars mbyllet afati për dorëzimin e koalicioneve dhe 12 Mars është afati i fundit për dorëzimin e listave me kandidatët për deputet.