Anuela Ristani fjalim “homazh” për Erion Veliajn, i burgosur për korrupsion: Kishte buzëqeshje të madhe dhe pozitivitet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mblodhi pasditen e së enjtes të gjithë punonjësit e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej” për t’ju thënë se pavarësisht fatit politik të Erion Veliajt, kryeqyteti duhet të vijojë me punët e përditshme dhe pa u ndalur.

Madje, Rama nga podiumi ishte i drejtëpërdrejtë sa nuk kurseu as kritikat për ata punonjës bashkie, të cilët protestuan para SPAK në mbështetje të Erion Veliajt. Ai tha se skena të tilla para SPAK nuk duhen përsëritur kurrë.

Përtej kësaj, pjesa që u vu re dhe mori vëmendjen ishte dalja në podium e kryetares së Komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila nisi fjalën me një “homazh” të ndjerë për Erion Veliajn, i cili ndodhet aktualisht në paraburgimin e Durrësit, i akuzuar nga SPAK për veprat penale për “korrupsion” dhe “pastrim parash”.

Duke i thurur elozhe, Ristani tha se Erion Veliaj karakterizohej si personi, që përçonte pozitivitet dhe kjo reflektohej tek të gjithë pjesëtarët e ekipit.

“Më lini t’ju them se në qoftë se ai do ishte këtu, unë jam shumë e bindur që secilit prej jush do t’i thoshte me atë buzëqeshjen e madhe dhe atë pozitivitetin që është ngjitës, që i ndikon të gjithëve: forca Lal!”, tha ajo.