Në Shqipëri do të bëhet riverifikimi i pastërtisë së figurës për zyrtarët e pajisur më parë me certifikatë pastërtie, përmes Autoritetit të Dosjeve. Kuvendi ka vendosur pak ditë më parë që institucionet kushtetuese dhe ato publike do t’i dërgojnë kërkesa këtij Autoriteti për verifikimin e zyrtarëve.
Ky riverifikim ka për qëllim të eliminojë mundësinë që persona që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit të jenë në administratë. Të parët që do të hyjnë në sitën e këtij riverifikimi do të jenë deputetët.
Në rezolutën që Kuvendi miratoi pak ditë më parë për Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kërkohet specifikisht në pikën e dytë ky riverifikim.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit do të raportojë për përfundimet dhe pengesat ligjore gjatë këtij procesi.
Përveç kësaj, Autoriteti duhet të vazhdojë me ndërtimin e databazës së detajuar për personat e zhdukur dhe të krijohet databaza e ADN-së e të afërmve të personave të zhdukur. Studiuesit, mediat dhe kërkesat individuale do të informohen dhe do të jenë pjesë e këtij procesi. Gjithashtu, procesi i digjitalizimit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit do të vijojë, ndërsa procedurat për trajtimin e kërkesave të ndryshme do të përmirësohen me qëllim shkurtimin e afateve kohore të shërbimit të dokumentacionit.
Autoriteti duhet të bashkëpunojë edhe me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri dhe të krijojë lehtësira për të përmbushur detyrimet ligjore për punën e tij.