Tensione në sallë, Erion Veliaj akuza prokurorit të SPAK: E ke personale me mua

Tensione në sallën e gjyqit ku po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së tij dhe 6 biznesmenëve. Veliaj ka hedhur akuza ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado se ky i fundit ka kërkuar leje ndërtimi nga kreybashkiaku, me këtë të fundit që ia ka dhënë.

Veliaj mësohet se i ka thënë prokurorit Dado, që ka kryer hetimet për kryebashkiakun se është në konflikt interesi dhe duhet të tërhiqet nga cështja.

“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu”.– ka thënë Veliaj në seancë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua mesditën e 10 shkurtit teksa ndodhej në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës. Ai akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste dhe pastrim parash. Ndërkohë bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa e cila ndodhet në arrest shtëpie akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Përmes një njoftimi zyrtar SPAK ka zbardhur skemën se si Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij në të paktën 10 raste kanë kryer veprime korruptive, si dhe pastrim parash. Sipas SPAK, fonde publike që janë shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, kanë kaluar tek Ajola Xoxa dhe rrethi i saj familjar përmes OJF-ve dhe shoqërive të kontrolluara nga ajo. Ndërkohë janë sekuestruar llogaritë bankare të Ajola Xoxës në shumën 869 mijë euro si dhe nga kontrollet në qendrën Harabel janë gjetur 95.350 euro, 14.900 dollarë dhe 665 mijë lekë, të cilat po ashtu janë sekuestruar.

SPAK thotë se bashkeshortja e Veliajt, Ajola Xoxa për katër vite ka bërë blerje online duke shpenzuar plot 860 mijë euro për bizhu dhe veshje. Këto shpenzime nuk janë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës dhe personave lidhur me të.