Pas Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka ardhur reagimi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë lidhur me sulmet e kryeministrit Edi Rama, pas arrestimit të kryebashkiakut, Erion Veliaj.
KLP kërkon respektimin e pavarësisë dhe integritetit profesional të prokurorëve. KLP nënvizon më tej se pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent.
Reagimi:
Në vijim të qëndrimeve të mëparshme për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë rithekson mbështetjen ndaj institucionit të prokurorisë për ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Ruajtja e këtyre parimeve është thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Këshilli kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë. Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent.