Kryeministri Edi Rama ka marrë sërish në mbrojtje kryebashkiakun Erion Veliaj, i arrestuar një ditë më parë pasi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.
Në fjalën e tij me rastin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë, Rama tha se do e ndjekin me shumë kujdes këtë proces, duke theksuar se veprimi ndaj Veliajt është jashtë shinave kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Sipas Ramës ajo që ka ndodhur me Veliajn ka kaluar çdo limit ndërsa ka sulmuar SPAK. Sipas tij, drejtësia duhet të garantohet nga profesionalizmi.
“Më vjen keq që në këtë jam neutral, sepse në fund të fundit jam udhëheqësi i forcës më të madhe dhe e kam të pamundur të mos e lidh faktin që përndizet një situatë, bëhet linçimi publik dhe pastaj bëhet heqja nga shpatullat e kokës së kryeqytetit, 3 muaj para zgjedhjeve. Për mua kjo nuk është normale. Nuk ka një flagrancë, nuk ka një krim ku reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, nuk ka urgjencë. Ka një hetim për jetën e kreut të bashkisë. Sa një gjë e tillë është në shinat e Kushtetutës, kjo nuk më takon mua që ta them. Ne, sot vetëm një idiot mund të na thotë që kontrollojmë drejtësinë, vetëm një i pafytyrë mund të na thotë që nuk i kemi dhënë pavarësi drejtësisë. Të bindur që kjo është rruga e duhur, që të gjithë të jenë të barabartë dhe subjekt i drejtësisë, kur ajo ka të drejtë. Sot jemi në një sfidë të re, pavarësia e arritur duhet të garantohet nga profesionalizmi”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se nëse Erion Veliaj dhe e shoqja kanë blerë 800 mijë euro fustanë e bizhuteri s’kemi çfarë diskutojmë, por nuk u shpreh i bindur për dosjen voluminoze të SPAK, ku evidentohej skema korruptive që Veliaj dhe bashkëshortja e tij kishin ngritur.
“Unë sfidoj të bëjnë një kërkim e të gjejnë një forcë politike në Europën ish lindore që në 5 vite rrjesht ka qepur gojën e vetëm ka thënë ecni përpara, godisni majtas e godisni djathtas. Ka marrë kosto shumë të mëdha nga drejtësia. Nuk ka.
Nëse Erjon Veliaj dhe e shoqja kanë blerë 800 mijë euro fustanë e bizhuteri nuk kemi çfarë diskutojmë. Por kemi të drejtë të kërkojmë provat. Kemi të drejtë të themi që ndërkohë hedhja e kësaj shifre në mexhelis është e qëllimshme për të ekzaltuar masën që kërkon gjak” – tha ndër të tjera Rama.