Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Konkretisht në mbledhje u vendos që postën për votën e emigrantëve do ta paguajë shteti. Gjithashtu është miratuar numërimi i votës së diasporës me komisionerë partiakë, një kërkesë kjo e opozitës.
Me votat e socialistëve dhe demokratëve kaloi dhe propozimi për afrimin e afateve për listën e kandidatëve për deputet. Po ashtu Komisioni vendosi që partitë mund të grumbullojnë fonde sa 5-fishi i lekëve që u jep shteti për fushatë.
Ndërkohë u rrëzua edhe kërkesa e PD që në zgjedhjet e 11 Majit të votojnë edhe ata emigrantë që nuk kanë mjet identifikimi shqiptar, por vetëm të huaj.
Kjo pikë ka sjell edhe debate për një dështim të votës së Diasporës, pasi PS ka thënë se nuk do ta pranojnë kërkesën e PD. Nga ana tjetër PD ka thënë se nuk do të votojnë në Kuvend ndryshimet nëse nuk plotësohet kushti i tyre.
Këto ndryshime do të kalojnë për votim në seancën e ditës së enjte në Kuvend.