Qeveria zgjat afatin e përdorimit të pasaportave dhe kartave ID të skaduara

Këshilli i Ministrave ka marrë sot vendimin për zgjatjen e afatit të përdorimit të pasaportave dhe kartave ID të skaduara.

Vendimi u miratua ditën e sotme, teksa ministri Ervin Hoxha deklaroi se me këtë vendim, do të kenë mundësi të votojnë të gjithë ata shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe nuk kanë dokumente identifikimi të vlefshme.

“Sot Këshilli i Ministrave miratoi një akt shumë të rëndësishëm, për zgjatjen e afateve të vlefshmërisë të kartave ID dhe pasaportave biometrike. Janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë të cilëve u ka përfunduar vlefshmëria e kartave ID. Me këtë akt do të kenë të drejtë të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të votojnë”, tha ndër të tjera Hoxha.

Por ministri i Brendshëm hodhi poshtë kushtin e PD-së për të votuar edhe ata shqiptarë që nuk kanë dokumente identifikimi shqiptare, por vetëm të shteteve ku jetojnë. Ai tha se ligji nuk e lejon këtë, ndaj kjo nuk do të bëhet.