Dokumenti i KQZ-së që tregon se PS dhe PD nuk i mbyllën listat 30%, por më shumë se 60%

Pavarësisht kundërshtive dhe akuzave gjatë gjithë kohës, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike arrijnë gjithmonë të gjejnë marrëveshje për interesat e përbashkëta.

Një prej interesave është edhe Kodi Zgjedhor, ndryshimet e fundit të të cilit treguan edhe njëherë tjetër se interesi i përbashkët i këtyre partive është zhdukja e partive të vogla e të reja, për të formuar një sistem dypartiak.

Kuvendi e kishte detyrim nga Gjykata Kushtetuese heqjen e herësit dhe hapjen e listave, por si çdo vendim tjetër i kësaj Gjykate, edhe ky u zbatua jo i plotë. Në dakordësinë mes dy palëve, u vendos që listat të mos hapeshin plotësisht.

Sipas Kodit Zgjedhor, listat do të jenë të mbyllura 30%, që do të thotë se 30% të kandidatëve do t’i vendosin kryetarët, ndërsa të tjerët do të luftojnë për votën preferenciale.

Por, nëse në letër listat janë të mbyllura 30%, në realitet është e kundërta. Listat do të ishin të mbyllura 30% vetëm në një sistem monist, ku qytetarët do të zgjidhnin vetëm kandidatët e njërës parti, ndërsa në pluralizëm, llogaritë bëhen ndryshe.

Në dokumentin e fundit të KQZ-së, tregohet se 46 kandidatë nga secila parti do të jenë në listë të mbyllur.

Por, le të marrin një shembull për ta bërë më të thjeshtë:

Partia Socialiste mori 74 mandate në vitin 2021. Me këtë Kod Zgjedhor që kemi sot, vetëm 28 mandate do të zgjidheshin me votë preferenciale të qytetarëve. Pra, 62% e deputetëve do të dilnin nga lista e mbyllur, ndërsa 38% nga lista e hapur.

Më e madhe është diferenca për Partinë Demokratike, që nga 59 deputetë në zgjedhjet e 2021-shit, vetëm 13 do të zgjidhte me votë preferenciale. Pra, vetëm 22% e listës do të ishte e hapur.

Por, pavarësisht se është shumë e vështirë, ekziston mundësia që asnjë deputet të mos dalë nga lista e hapur. Kjo do të ndodhte në rastin kur asnjë parti nuk arrin të marrë më shumë se 46 deputetë.

Pra, qytetarët shqiptarë do të vijojnë të votojnë për të parapëlqyerit e kryetarëve të partive dhe jo për kandidatët që mund t’i përfaqësojnë më mirë.