Vota e Diasporës/ KQZ apel të ri zgjedhësve: Aplikimin për regjistrim në PER bëjeni vetëm me dokumente shqiptare

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, i është rikthyer sërish procesit të regjistrimit të votuesve shqiptarë, që jetojnë jashtë dhe do shprehin vullnetin e tyre në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit 2025.

Ai ka dhënë detaj shtesë për hapat që duhet të ndjekin gjatë regjistrimit në platformën elektronike, e cila është aplikuar në faqen zyrtare të KQZ-së.

Përmes një videolive në Facebook, kryekomisioneri Celibashi u shpreh se aplikimi duhet bërë vetëm me dokumente shqiptare.

Ai theksoi se Platforma Elektronike e Regjistrimit (PER) nuk njeh dokumentet e shteteve të tjera, ndaj apeloi që votuesit të tregojnë kujdes.

“Aplikimin bëjeni vetëm me dokumente shqiptare, PER nuk njeh dokumentet e një shteti tjetër. Para se të nisni aplikimin, shikoni videot tutorial në aplikacionin e KQZ, të dini si përdoret PER.Duhet Kujdes! Kemi konstatuar problemet më të shumta. Vërtetoni adresën e vendqëndrimit tuaj. Kur ta skanoni adresën, ta tregojë qarta adresën që keni ngarkuar në PER. 90 % e aplikantëve nga Italia, kanë ngarkuar dokumentin nga ana që nuk e mban adresën. Vetëm kështu ne konfirmojmë adresën ku do t’ju dërgojmë fletën e votimit”, tha Celibashi.