Vendimi i Trump tremb OBSH, shpreh keqardhje për tërheqjen e SHBA

Zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tarik Jashareviç, shprehu keqardhje nga njoftimi i SHBA-së se planifikojnë të tërhiqen nga kjo organizatë.

Në konferencën javore për media të Zyrës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë, Jashareviq ndau mesazhin e OBSH-së lidhur me vendimin e tërheqjes së SHBA-së.

“OBSH shpreh keqardhje për njoftimin e SHBA-së se planifikon të tërhiqet”, tha Jashareviq, duke vënë në dukje se OBSH po ndërton sisteme më të forta shëndetësore duke adresuar shkaqet rrënjësore të sëmundjeve.

“OBSH duke zbuluar, parandaluar dhe duke iu përgjigjur situatave emergjente shëndetësore, përfshirë edhe epidemitë e sëmundjeve, luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së njerëzve anembanë botës, duke përfshirë popullatën e SHBA-së”, vlerësoi Jashareviç.

Ai rikujtoi se SHBA është anëtar themelues i OBSH-së në vitin 1948, duke shtuar se që atëherë, SHBA-të së bashku me 193 shtete të tjera anëtare, kanë kontribuar në formësimin dhe menaxhimin e punimeve të OBSH-së, duke përfshirë pjesëmarrjen e saj aktive në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë dhe Bordin Ekzekutiv.

“OBSH dhe SHBA prej një kohe të gjatë kanë shpëtuar jetë të panumërta dhe bashkë me amerikanët kanë mbrojtur njerëzit nga kërcënimet shëndetësore. Së bashku i dhamë fund lisë dhe së bashku e sollëm poliomielitin në prag të eliminimit. Institucionet amerikane kontribuuan dhe përfituan nga anëtarësimi në OBSH”, njoftoi Jashareviq.

Ai tha se shpreson që SHBA do ta rishqyrtojë këtë vendim, duke shtuar: “Ne mezi presim të angazhohemi në një dialog konstruktiv për të vazhduar partneritetin midis SHBA-së dhe OBSH-së për të mirën e shëndetit dhe mirëqenies së miliona njerëzve në mbarë botën”.

Menjëherë pas marrjes së detyrës, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një dekret presidencial që përcakton tërheqjen e SHBA-së nga OBSH që është institucion i OKB-së.