Zbulohet banesa ku përgatiteshin dozat me kanabis, 2 të arrestuar në Tiranë

Policia e Tiranës ka zbuluar një banesë që ishte përshtatur për përgatitjen e dozave të kanabisit ndërsa janë sekuestruar 5 kg lëndë narkotike.

Gjatë operacionit policor të koduar “Collaboration 1” është vënë në pranga një 23 vjeçar dhe u shpall në kërkim një tjetër, pasi së bashku përgatisnin dhe më pas shisnin dozat e kanabisit. Gjithashtu është arrestuar edhe një shtetas turk, të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis që dyshohet se ia kishte blerë 23-vjeçarit.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Collaboration 1”.

Zbulohet një banesë e përshtatur për përgatitjen e dozave të kanabisit. Sekuestrohen 5 kg lëndë narkotike kanabis dhe 2 peshore elektronike.

Vihet në pranga një 23-vjeçar, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, bashkëpunëtorë për përgatitjen dhe shitjen e dozave të kanabisit.

Vihet në pranga dhe një shtetas turk, të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis që dyshohet se ia kishte blerë 23-vjeçarit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration 1”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi S. H., 23 vjeç, banues në Tiranë dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. B. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta bashkëpunonin për sigurimin e lëndës narkotike, ndarjen e saj në doza dhe shitjen e tyre në qytetin e Tiranës.

Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira nga shtetasi Xh. B., shërbimet e Policisë kanë gjetur 5 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 2 pershore elektronike, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u arrestua shtetasi B. S., 24 vjeç, banues në Turqi, pasi u kap në flagrancë me një sasi lënde narkotike kanabis që dyshohet se ia kishte blerë 23-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.