Agron Shehaj: Ne jemi me këmbë në tokë; Të tjerët flasin për biznes e Diasporë, por s’kanë qenë asnjëherë emigrantë

Partia Mundësia ka inauguruar këtë të hënë degën e saj në qytetin e Lezhës. Të shumtë ishin qytetarët lezhianë, që mbushën ambientet e Pallatit të Kulturës “Dedë Ndue Lazri” dhe shprehën mbështetje për partinë Mundësia dhe kryetarit të saj Agron Shehaj.

Ai tha se mbështetësit e partisë Mundësia janë me mijëra në të gjithë Shqipërinë dhe vijojnë të shtohen nga dita në ditë.

Kryetari Shehaj pohoi se Mundësia është me këmbë në tokë, ndryshe nga partitë e tjera, që sipas tij flasin për çështje, të cilat nuk i njohin dhe nuk i dinë.

Sipas tij, ata flasin për ekonominë dhe për Diasporën, por asnjëri prej tyre nuk ka punuar asnjëherë në jetë dhe kurrë nuk kanë qene emigrantë.

“Sot jemi me mijëra në gjithë Shqipërinë. Njerëzit po vijnë, po shtohen përditë dhe po dalin përditë. Çfarë kemi bërë në një vit nuk është asgjë fare me se çfarë do bëjmë në vitet e ardhshme. Nuk kemi krahasim, nuk mund të na krahasojnë me asnjë për një arsye të thjeshtë; ne e dimë çfarë bëjmë, jemi me këmbë në tokë, ne nuk flasim kot, ne jemi të vetmit që flasim për atë për të cilën marrim vesh, të gjithë flasin për biznes, por asnjë nuk e di çfarë do të thotë biznes, të gjithë flasin për punë, por askush nga ata nuk i ka bërë ndonjëherë duart pis me punë, askush. Të gjithë flasin për diasporën, por s’kanë qenë kurrë emigrantë, nuk e dinë se çfarë do të thotë emigrant, nuk e di se çfarë do të thotë të lësh vendin tënd dhe të shkosh në një vend të huaj dhe ta fillosh nga fillimi dhe prapë të ngulësh këmbë dhe të mos dorëzohesh. Nuk e kanë idenë. Flasin për perëndimin, por nuk kanë jetuar një ditë të vetme në perëndim. Flasim kot, flasim totalisht kot, kjo është arsyeja pse ky rrugëtim që kemi bërë deri më sot është vetëm fillimi. E kemi seriozisht dhe do ta çojmë deri në fund, nuk u dorëzuam kur ishim shumë pak, jo më tani”, tha ai.

Ai pohoi se projekti i tij nuk është vetëm për këto zgjedhje, por shkon përtej tyre.

“Çfarë po bëjmë, s’po organizohemi thjesht për zgjedhjet e ardhshme, ne kemi projekt politik të qartë. Ne po ndërtojmë një parti politike që shkon përtej zgjedhjeve të ardhshme. Nuk bëjmë takim për të treguar sa kemi mbështetje, sesa kemi mbështetje, besoj e dini të gjithë. Të jemi në krah të atyre që përpiqen t’ia dalin vetë”, theksoi ai.

Mes tjerash, Shehaj u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe u kërkoi atyre të mos u besojnë përfaqsuesve të qeverisë. Sipas tij, ata i kanë larguar dhe i kanë vjedhur shqiptarët në 12 vjet radhazi.

“Kam një thirrje për të gjithë ata shqiptarët që jetojnë jashtë, që takojnë këta të korruptuar, që ashtu siç kanë larguar ata, po largojnë shqiptarët çdo ditë. Mos u besoni, po ju gënjejnë sepse janë të pafytyrë. Po ju gënjejnë, sespe nuk bëjnë ashgjë për ju. Nuk bëjnë dot, e kanë mendjen vetëm të vjedhin. Kishin 12 vjet kohë për të bërë për Shqipërinë dhe s’kanë bërë asgjë. Ju kanë futur duart në xhep, ju kanë vjedhur çdo ditë”, tha ai.