Janë zbardhur propozimet që PS dhe PD kanë rënë dakord lidhur me ndryshimet që do të bëhen në kodin Zgjedhor për votën e Diasporës. Mësohet se propozimet e dy palëve janë dorëzuar në Kuvend dhe pritet që të kalojnë me procedurë të përshpejtuar.
Ndryshimet lidhen me afatin e prodhimit të fletës së votimit, e cila duhet shpërndarë më shpejt tek emigrantët që do të votojnë me postë.
Ndërkohë sa i takon numërimit të fletëve të votimit, në draft thuhet se pas mbërritjes së fletëve të votimit, dy partitë kryesore në maxhorancë dhe opozitë do të marrin pjesë në procesin e numërimit. Shpenzimet për votën e Diasporës do të mbulohen nga KQZ.
Sipas propozimit të PS dhe PD, partitë do të kenë detyrimin që të cojnë emrat e kandidatëve në KQZ, 60 ditë para zgjedhjeve dhe jo 50 ditë sic ishte më parë
Propozimet e PS-PD për votën e diasporës:
Në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Titulli i nenit 25/1 riformulohet si më poshtë:
Neni 25/1
“Procedura e votimit nga jashtë”
Neni 2
Neni 25/1, pika 3, fjalia e parë riformulohet si më poshtë:
Neni 25/1
Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor
3. Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së nëpërmjet shërbimit postar. Shpenzimet për dërgimin e fletës së votimi dhe çdo materiali tjetër zgjedhor dhe informativ nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek votuesit nga jashtë, paguhen nga KQZ.
Neni 3
Neni 25/1, pika 4 shfuqizohet
Neni 4
Pas nenit 25/1 shtohet neni 25/2 me këtë përmbajtje:
Neni 25/2
Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor
- Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në momentin e mbërritjes në KQZ regjistrohen në një regjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria.
- Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara nga KQZ numërohen dhe vlerësohen në vendin e numërimit të votave nga jashtë të caktuar nga KQZ.
- Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëjtin moment që fillon numërimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse.
- Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë administrohet nga një komision i përbërë prej 4 anëtarësh dhe sekretari, të emëruar nga KSHZ. Propozimi për 2 anëtarë bëhet nga partia më e madhe e pozitës parlamentare dhe për 2 anëtarët e tjerë propozimi bëhet nga partia më e madhe e opozitës parlamentare. Sekretari i komisionit emërohet mbi bazë të aplikimeve të lira dhe duhet të jetë me profesion jurist. Anëtarët dhe sekretari duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nent 30 dhe 31 të këtij Kodi. Nëse numri në listën përfundimtare të zgjedhësve nga jashtë është më i madh se 80 mijë, KSHZ mund të ngrejë më shumë se një komision të numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë, me kushtin që vlerësimi i votave të një qarku të kryhet nga i njëjti komision.
- Për numërimin dhe vlerësimin e votave KSHZ cakton grupe numërimi të përbërë nga dy anëtarë. Një anëtar propozohet nga partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe anëtari tjetër nga partia më e madhe e opozitës parlamentare.
- Rregullatori, me propozimin e Komisionerit, përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, vëzhgimin e procesit të numërimit, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij neni.