Shehaj: Ministri i Brendshëm fsheh cfarë ka ndodhur me policin që arrestoi djalin e Samir Manes, të japë dorëheqjen

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka akuzuar Ministrinë e Brendshme se po fsheh të vërtetën e asaj që ndodhi me efektivin Azbi Spahiu.

Ky i fundit arrestoi Martin Manen, djalin e biznesmenit Samir Mane për shkak se ai shkaktoi aksident në gjendje të dehur. Por vetëm 3 ditë më pas ai ra nga kati i shtatë i një pallati, teksa para se të hidhej i dërgoi djalit të tij një mesazh, ku i thoshte se duan t’i shkatërrojnë karrierën.

Shehaj thotë që ministri Ervin Hoxha në vend që të sqarojë opinionin publik nëse efektivi është hedhur, nëse e kanë hedhur, nëse e kanë dhunuar, nëse i kanë bërë presion dhe e kanë shtyrë drejt vetvrasjes, del me një deklaratë politike skandaloze, që rrit vetëm dyshimet mbi faktin që kemi të bëjmë me një polici kriminale dhe të kapur. 

Kreu i Mundësisë kërkon që Ministri i Brendshëm të japë dorëheqjen, pasi është e papranueshme që të mbajet e fshehtë një ngjarje e tillë.

Fjala e Shehaj:

Cfarë ka ndodhur me policin që arrestoi djalin e Samir Manes? 

Ministri i brendshëm që duhet të na sqaronte ka bërë një deklaratë që është për të vënë duart në kokë. 

E nisim nga çfarë dimë.

Dimë që të dielën është arrestuar djali i Samir Manes. 3 ditë më vonë, polici që arrestoi djalin e Samir Manes, sipas policisë, ka rënë nga lartësia e një pallati dhe ka përfunduar në spital në gjendje të rëndë. 

Ministri, në vend që të sqarojë opinionin publik nëse është hedhur, nëse e kanë hedhur, nëse e kanë dhunuar, nëse i kanë bërë presion dhe e kanë shtyrë drejt vetvrasjes, del me një deklaratë politike skandaloze, që rrit vetëm dyshimet mbi faktin që kemi të bëjmë me një polici kriminale dhe të kapur. 

Është e papranueshme që mos të sqarohet opinioni publik në lidhje me një skandal kaq të madh. Ministri i brendshëm, pas kësaj deklarate duhet të japë dorëheqjen.