Dosja SASPAC/ Ilir Beqaj mbetet në burg, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e ish-ministrit të Shëndetësisë

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e bërë nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili kundërshtonte masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga GJKKO, lidhur me abuzimet me fondet e BE në kohën kur drejtonte SASPAC.

Ish-ministri, i cili është i pandehur edhe për koncesionin e Sterilizimit, u arrestua në korrik të vitit 2024, me urdhër të prokurores Elida Kaçkini, e cila kreu hetimet për abuzimin me fondet e agjencisë së menaxhimit të fondeve të Bashkimit Europian. Gjithashtu në pranga ra edhe bashkëpunëtori i tij, Ermal Kurtullaj.

Lidhur me këtë çështje, SPAK ka ngritur ndaj Ilir Beqajt akuzat e korrupsionit pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë, mashtrimit, dhe pabarazisë në tenderë. 

Ndërkohë vetëm pak javë më parë, SPAK pranoi kërkesën e gjyqtares Flojera Davishi për të rënduar akuzën ndaj Beqajt, sa i takon Sterilizimit, nga “shpërdorim detyre” në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal“.