Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar një foto nga fondi “Trofe”, i cili u grabit nga komunistët më 1943. Sipas tij diktatori enver Hoxha u kujdes që të pastronte emrin e tij, në dokumentet e shërbimit sekret të kohës së Ahmet Zogut.
Sipas Dervishit nga dosja “u krehën” gjërat që nuk duheshin ditur para se Hoxha të bëhej person public.
Postimi i plotë:
Fondi “trofe”
Dokumentacioni i Zyrës Politike të MPB-së (nga godina ku është sot Ministria e Bujqësisë) që u grabit në aksionin e komunistëve më 21.7.1943, ishte i viteve 1922-1943 (të cilës i kushtohet filmi “Nga mesi i errësirës”). Shumica e tij kishte vetëm vlerë historike. P.sh. pagesa e Shote Galicës në vitin 1925 ishte te ky fond. Fare pak kishte të bënte me kohën e luftës, sepse shërbimet kryesore sekrete si OVRA apo SIM-i e administronin tjetër vend dokumentacionin. Pra më shumë interesi ishte për para vitit 1939. Njihet fakti se E.Hoxha ka pasur aktivitet të dyshimtë me shërbimet sekrete. Ky ishte shkaku kryesor se koha nuk priste. Dokumentacioni duhej parë para se Hoxha të bëhej person publik. Dokumentet u çuan në periferi të Tiranës. U krehën si fillim për të hequr gjërat që nuk duheshin ditur. Pas lufte, fondi u quajt “trofe” (si plaçkë lufte, a thua nuk i takonte këtij shteti) u bë pjesë e Arkivit të Sistemit të MPB-së. Iu trajtua një përpunimi artificial me kriter emëror, i cili e shkatërroi tërësisht strukturën e mëparshme. Kohë pas kohe, një pjesë iu hoq për t’iu bashkuar dosjeve të ndryshme formulare (pjesë e humbur kjo me asgjesimin e këtyre dosjeve). Më 12.4.2012, fondi “trofe” iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave nga Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme.
Fotoja e fondit në fjalë.