U hetua për trafik droge, Gjykata e Posaçme dënon me 5.4 vjet burg Luis Çelën

Gjykata e Posaçme ka dënuar këtë të enjte me 5.4 vjet burg Luis (Argen) Çelën për kultivim e trafik droge, si dhe organizatë kriminale.

Gjykata e shpalli fajtor për dy akuza 44-vjeçarin nga Skrapari, duke dhënë 8 vite burgim, por për shkak të uljes së një të tretës u dha dënimi i mësipërm.

Hetimet dhe procedimi kishin nisur prej vitit 2022, teksa nisi edhe procesi gjyqësor, me gjykim të shkurtuar. Dosja pasi ishte dërguar nga Greqia për procedim, u çua nga SPAK për gjyq më 26 tetor 2024 në GJKKO.

Hetimi i SPAK ndaj Çelës filloi mbi bazën e kërkesës për ndihmë të ndërsjelltë nga Prokuroria e Kallamatës në Greqi.

 Synimi i grupit sipas dosjes, ishte prodhimi dhe grumbullimi nga plantacionet që ata kultivonin me qëllim përfitimin e paligjshëm nga trafikimi. Anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar kriminal merreshin me trafikimin e drogave të tjera, si kokaina, duke përdorur rrjete të organizuara për shpërndarje.

Sipas SPAK rezultoi se Luis Çela, së bashku me të tjerë, kultivonin me farë kërpi (kanabis), konkretisht 2300 farë kanabis me prejardhje holandeze e markës “ROYAL”, nga të cilat 1300 copë fare lloji “CRITICAL” dhe 1000 copë të llojit “GORILLA”, me vlerë dhe cilësi të certifikuar, e cila trafikohej në Kalamata dhe Messina.