Shpallja e nominimeve të këtij viti për çmimet Oscar është shtyrë me dy ditë për shkak të zjarreve vdekjeprurëse që shpërthyen në zonën e Los Anxhelosit, shkruan BBC.
Ceremonia ishte planifikuar për të premten më 17 janar, por yjet dhe filmat për Academy Awards do të zbulohen tani më 19 janar. Votimi për afro 10,000 anëtarët e Akademisë, i cili u hap më 8 janar, është shtyrë gjithashtu me dy ditë, deri të martën më 14 janar.
Ish-prezantuesi i Oscars, Billy Crystal, është në mesin e të famshmëve që kanë humbur shtëpitë në flakët e kësaj jave, si dhe Paris Hilton, James Woods dhe Miles Teller.
Në një letër dërguar anëtarëve të mërkurën, CEO i Akademisë Bill Kramer tha: “Ne duam të ofrojmë ngushëllimet tona më të thella për ata që janë prekur nga zjarret shkatërruese në Kaliforninë Jugore.
“Shumë nga anëtarët tanë dhe kolegët tanë të industrisë jetojnë dhe punojnë në zonën e Los Anxhelosit, dhe ne po mendojmë për ju.”
Zjarri i fundit shpërtheu në Hollywood Hills, afër bulevardit Hollywood dhe Hollywood Walk of Fame, vonë të mërkurën pasdite.
Conan O’Brien do të presë ceremoninë e Oscars 2025 në Teatrin Dolby në Bulevardin Hollywood më 2 mars.