Rama u jep leksion gazetarëve: Çmendët dynjanë me titujt, sikur jetoni me bomba poshtë krevatit

Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp ku foli për uljen e çmimit të energjisë elektrike, që sipas tij është e para në 35 vjet, është ndalur duke ju dhënë leksion gazetarëve të pranishëm.

Rama u shpreh i pakënaqur me titujt që ai lexon në portale dhe video në youtube, që sipas tij kushdo që i lexon kujton se jeton në një vend që ka vetëm terrorizëm.

Jo vetëm kaq, por kryeministri nuk u dha mundësinë të gjithë gazetarëve që kishin shkuar për të ndjekur konferencëm, duke thënë se u është përgjigjur atyre në konferencën që mbajti një ditë para vitit të ri.

“Unë e di që jetojmë në epokën ku lexohen vetëm titujt, plus në këtë epokë leximi vetëm titujsh, titujt bëhen pastaj të atillë që nuk kanë lidhje me përmbajtjen. Po të shëtisësh në titujt që bëni ju nëpër youtube kujton se jeton në një vend ku ka vetëm terrorizëm.

Pse? Filani plas bombën, fisteku trondit, shokon filani, hedh bombën fisteku. Cfarë janë këto muhabete, çmendet dynjanë me këto tituj. Cfarë është ky muhabet, sikur jetoni me bomba poshtë krevatit të gjithë”- tha Rama që më pas mbylli konferëncën për shtyp.