Mbi 3.7 milionë shqiptarë me të drejtë vote, publikohet lista paraprake e zgjedhësve

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, në një dalje për mediat u shpreh se 3,721,116 shqiptarë do të kenë të drejtë për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që mbahen më 11 maj.

“50.5% janë zgjedhës meshkuj dhe 49.5% janë femra,” u shpreh ministri në një deklaratë për mediat, duke shtuar se në listën e zgjedhësve nuk janë përfshirë “4,536 shtetas, të cilët janë mbi 100 vjeç, që mbushin apo kanë mbushur këtë moshë deri më 11 maj 2025.”, thejsoi ai.

Ai pohoi se këta shtetas, për të siguruar të drejtën e votës, do të duhet të paraqiten pranë zyrave të Gjendjes Civile për t’u përfshirë në listën e zgjedhësve.

Në zgjedhjet e 11 majit do të mund të votojnë edhe të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Ata mund ta ushtrojnë këtë të drejtë pa udhëtuar drejt Shqipërisë.

Pavarësisht këtij fakti, nuk dihet ende numri i shtetasve shqiptarë që do të votojnë nga jashtë. Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi pak ditë më parë njoftoi se më 11 maj do fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë vendit.

Ministri Hoxha, u shpreh ndër të tjera se “kjo listë paraprake do të jetë publike më 9 mars 2025 dhe çdo shtetas do të ketë në dispozicion 48 orë për të shprehur vullnetin përfundimtar nëse duan të votojnë brenda apo jashtë Shqipërisë.”

Për t’i paraprirë problematikës së skadimit të dokumenteve të identifikimit, Hoxha, teksa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të rinovojnë kartat e identitetit apo pasaportat, njoftoi se “prej disa javësh, është miratuar udhëzimi që lejon aplikimin qoftë edhe për një dokument identifikimi në zyrat tona konsullore.”

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, theksoi se aktualisht numri i përgjithshëm i qendrave të votimit brenda limiteve është 5,050 dhe u bëri apel kryetarëve të bashkive që të angazhohen për vendimmarrje për qendrat e votimit që janë jashtë limiteve, me më shumë se 1 mijë zgjedhës apo më pak se 300 të tillë.